Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që tronditi mbrëmjen e së mërkurës qytetin e Durrësit, ku u gjet i pajetë 51-vjeçari Valdon Beqiraj.
Sipas Policisë, nga ekspertiza mjekoligjore ka rezultuar se viktima kishte shenja dhune në trup dhe plagë të shkaktuara nga një mjet prerës, të cilat dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen.
Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se si shkak i ngjarjes mund të jetë një sherr me një person që Beqiraj kishte ftuar në banesë. Fillimisht, ajo u raportua si banesa e tij, por më vonë u konfirmua se i përkiste një kushërire të tij që jeton në emigrim dhe ia kishte lënë në kujdes.
Beqiraj ftonte shpesh miq dhe shokë në banesë, ku edhe konsumonin lëndë narkotike. Dyshohet se konflikti fatal ka ndodhur pikërisht pas një zënke me njërin prej të ftuarve, i cili më pas mund të ketë kryer vrasjen.