Fisnik Syla ka reaguar në mënyrë indirekte ndaj një lajmi ku ish-e dashura e tij, Fjolla Morina shfaqej dukshëm e tensionuar dhe duke bërtitur gjatë një debati në Big Brother VIP Kosova. Biznesmeni i është drejtuar portalit Kryefjala përmes një mesazhi privat në Instagram, të shoqëruar me emoji duke qeshur, reagim që bie në kontrast të fortë me gjendjen emocionale të Fjollës në pamjet e publikuara.

Lajmi në fjalë lidhej me një përplasje të ashpër mes Fjolla Morinës dhe Albës, ku këngëtarja iu drejtua kësaj të fundit me tone të larta dhe akuza të forta për fjalë të thëna brenda dhe jashtë shtëpisë, duke krijuar tension të madh mes banorëve.
Historia e Fjolla Morinës dhe Fisnik Sylës është ndër më të bujshmet në showbiz-in shqiptar. Lidhja e tyre u bë publike në rrethana tronditëse, pas arrestimit të të dyve në Morinë në një rast që përfshinte armë zjarri, duke u kthyer menjëherë në kryefjalë të mediave.
Marrëdhënia e tyre vijoi me një “dasmë” luksoze në Maldive, e zhvilluar në një periudhë kur Fjolla ndodhej në arrati, ndërsa Fisniku ishte ende në proces divorci, çka ngriti pikëpyetje mbi vlefshmërinë e saj.
Pas gati dy vitesh bashkë, këngëtarja kosovare i dha fund historisë me Fisnik Sylën. Ndarja ishte e bujshme dhe u shoqërua me akuza të rënda nga ana e Fjollës, e cila ka deklaruar se ka përjetuar kërcënime serioze ndaj saj dhe vajzës së saj. Edhe pse raporti i tyre konsiderohet i mbyllur, reagimi i fundit i biznesmenit ka rikthyer në vëmendje një histori që vazhdon të mbetet pjesë e kronikës rozë.