Reagimi i familjes pas ngjarjes së rëndë në Majac të Podujevës ka prekur rrjetin, ku vëllai i viktimës, Ilaz Brahimi, ka ndarë dhimbjen e madhe për humbjen e tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Muhamet Brahimi konfirmoi lajmin tragjik duke shkruar: “Te Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!”, ndërsa njoftoi se vëllai i tij, Ilaz (Bajram) Brahimi, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Ai kërkoi lutje që i ndjeri të pranohet në mëshirën e Zotit dhe bëri me dije se detajet e varrimit do të bëhen të ditura më vonë.

Ndërkohë, edhe familjarë të tjerë kanë reaguar me mesazhe prekëse. Një prej tyre, Hasim M. Berisha, e përshkroi Ilazin si një besimtar të devotshëm dhe njeri shumë të mirë, duke treguar se vetëm pak ditë para ngjarjes kishin kaluar kohë bashkë gjatë Natës së Kadrit.
“Zoti të mëshiroftë Ilaz, Allahu na bashkoftë në Xhenetet e Tij,” – shkruan ai, duke shtuar se vdekja e tij ka tronditur thellë familjen dhe të afërmit.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ku miq, familjarë dhe qytetarë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për familjen Brahimi, ndërsa lutjet për shpirtin e të ndjerit kanë qenë të shumta.

Kujtojmë se Ilaz Brahimi, 42 vjeç, dyshohet se u vra me armë zjarri në një automjet në Majac të Podujevës, ndërsa si autore e dyshuar është Ardita Gashi, e cila më pas ndërroi jetë në QKUK si pasojë e plagëve. Ngjarja u përshkallëzua edhe më tej me vdekjen e një tjetër familjareje të autores, duke e kthyer këtë rast në një nga më të rëndët e ditëve të fundit në Kosovë.