Fitorja historike e Kombëtares shqiptare në Serbi ka pasur pasoja të menjëhershme për kundërshtarët. Trajneri i përfaqësueses serbe, Dragan Stojković, ka dhënë dorëheqjen pas disfatës 0-1 ndaj kuqezinjve të drejtuar nga Sylvinho, duke pranuar publikisht se e mban vetë përgjegjësinë e plotë për këtë dështim.
Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, Stojković tha se nuk do të udhëtojë me ekipin për ndeshjen e radhës ndaj Andorrës, ndërsa drejtimin e skuadrës pritet ta marrë përkohësisht ndihmësi i tij, Goran Dorović.
“A kemi lojtarë më të mirë? Nuk e di. Kjo ishte zgjedhja ime. U përpoqa ta fitojmë ndeshjen, por diçka nuk shkoi. Ose kam gabuar në përzgjedhje, ose thjesht kam gabuar. Megjithatë, largohem me krenari. Ka qenë privilegj të drejtoj vendin tim,” – u shpreh ai.
Stojković shtoi se e kishte njoftuar tashmë presidentin dhe sekretarin e Federatës së Futbollit të Serbisë për dorëheqjen e tij:
“Marr përgjegjësinë absolute. Jam i vetmi fajtor. Kjo humbje ndaj Shqipërisë nuk duhej të ndodhte, por kështu është sporti.”
Ky është rasti i tretë radhazi që Kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Sylvinhos “shkakton tronditje” në pankinat e kundërshtarëve. Më herët, pas ndeshjeve me Poloninë dhe Çekinë, trajnerët e tyre u shkarkuan pas humbjeve me kuqezinjtë – një rastësi që tashmë duket se është kthyer në “mallkimin e Sylvinhos”.
Fitorja në Serbi nuk është thjesht një sukses sportiv për kuqezinjtë, por edhe një moment historik krenarie kombëtare, që e forcon edhe më shumë besimin në skuadrën e Sylvinhos dhe ëndrrën për një tjetër kualifikim madhështor.