Ngjarje e rëndë në Fier. Një efektiv policie vetëm 28 vjeç mbeti i vrarë sot në fshatin Baltëz, 10 km larg Fierit. Vrasja ka ndodhur rreth orës 13:15 pak metra pranë spitalit ‘Memorial’ në Fier.

Novruz Cenalia, banor i fshatit Baltëz, me detyrë polic i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, ishte i veshur me uniformën e Policisë dhe po shkonte për të marrë shërbimin kur u vra nga 23 vjeçari i identifikuar si Asllan (Azgan) Mernica, banor i fshatit Sulaj pak metra larg fshatit ku ndodhi krimi.

23 vjeçari është larguar me makinë të cilin më pas e ka braktisur në një lagje afër fshatit. RENEA e FNSH po krehin zonë pasi dyshohet se autori mund të jetë afër ndërsa janë ngritur postblloqe të FNSH-së. Drejtori i policisë së Fierit, Lorenc Panganika bëri thirrje autorit të dorëzohet gjithashtu kërkoi dhe ndihmën e familjarëve të negociojnë për të bindur 23 vjeçarin të dorëzohet.
Drejtori i policisë së Fierit, Lorenc Panganika deklaron se bëhet fjalë për një vrasje për konflikt të çastit duke rrëzuar pistën e hakmarrjes.
Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Ngjarja bëhet edhe më e rëndë kur mësohet se i ati i viktimës, edhe ai polic ka qenë në sallën operative të policisë së Fierit kur është njoftuar për vrasjen e të birit.