Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar rikthehet këtë dhjetor me edicionin e tij të 64-të, duke sjellë një frymë të re dhe një vizion modern nën moton “Albania Future”. Ky edicion premton të jetë një nga më të veçantët e viteve të fundit, jo vetëm për garën mes artistëve pjesëmarrës, por edhe për surprizat e shumta që do të ngjiten në skenë.
Përgjatë katër netëve të festivalit, publiku nuk do të shijojë vetëm interpretimet e këngëve konkurruese, por edhe performanca nga emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare, të ftuar specialë që pritet t’i japin festivalit një dimension tjetër artistik dhe spektakolar.
Mes tyre spikat Tommy Cash, artisti viral që rikthehet në skenën e RTSH për të sjellë energjinë dhe stilin e tij unik. Po ashtu, pas një viti mungesë, në festival do të rikthehet Shkodra Elektronike, një projekt që ka lënë gjurmë me identitetin e tij alternativ dhe eksperimental. Një tjetër moment i shumëpritur do të jetë performanca ekstravagante e Bleona Qeretit, e cila këtë vit feston 30-vjetorin e këngës së saj të parë të interpretuar në Festivalin e Këngës, “Lermeni”, duke e kthyer skenën në një udhëtim mes nostalgjisë dhe modernitetit.
Organizatorët paralajmërojnë se lista e të ftuarve nuk mbaron këtu dhe se publiku do të surprizohet edhe nga emra të tjerë artistësh, të cilët do të zbulohen netë pas nate.
Festivali i Këngës në RTSH, Fest 64, do të mbahet më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, duke premtuar katër netë muzikë, emocione dhe spektakël që synojnë të projektojnë të ardhmen e muzikës shqiptare nën moton “Albania Future”.