Në një nga momentet më të ndjera të Festivalit të Këngës 64, Arilena Ara la për një çast skenën, dritat dhe muzikën, për t’i dhënë vend zërit të shpirtit. Me një rrëfim të sinqertë, ajo ndau një histori që preku mijëra zemra. Historinë e një fëmijërie të ndërprerë herët dhe të një nëne që u bë gjithçka.
“Babai më la 12 vjeçe bashkë me dy motra…”, nisi ajo, duke hapur një plagë që koha nuk e ka mbyllur plotësisht. Në atë moshë, kur fëmijët duhet të ndihen të mbrojtur, Arilena u përball me mungesën e një shtylle të madhe. Një mungesë që, siç e tha vetë, nuk u zëvendësua kurrë.
Por aty ku mungoi një figurë, u dyfishua një tjetër…Nëna.
“Dua të flas për një person për të cilin flas rrallë. Për një person që gjatë këtyre viteve ndiej se e kam lënë në hije. Dua të flas për ty, mam. Kur je e vogël nuk e kupton që ajo që duhej të ishte thjesht mam u bë edhe bab. Ajo grua po heq dorë nga jeta e vet për tënden. Pa u ankuar. Edhe pse jeta jote u ndal kur ishe e re, pa filluar ende mirë.
Kam pëlqyer të mendoj se ia kam dalë vetë, por nuk është ashtu. Nuk do isha këtu nëse pas vetes nuk do kisha ty, që në heshtje më mbështet sa për dy. Të dua, mam.”
Fjalët e Arilenës u pritën me duartrokitje dhe emocion në sallë, duke kthyer Fest 64 në një moment reflektimi dhe mirënjohjeje. Dedikimi i saj u bë një homazh për të gjitha nënat që, në heshtje, mbajnë familjet mbi supe dhe sakrifikojnë gjithçka për fëmijët e tyre.