Pas reagimit të parë që u interpretua nga shumë ndjekës si një qëndrim kundër Elijonës, daja i saj, Valon Zhubaj, ka dalë sërish me një deklaratë publike ku ka sqaruar pozicionin e tij.
Në reagimin e ri, ai thekson se nuk është kundër Elijonës dhe se çdo përpjekje për ta paraqitur si person që e dëmton apo e manipulon atë është e pavërtetë. Zhubaj nënvizon se është pjesë e familjes dhe se “familja nuk përdoret, por mbrohet”, duke theksuar lidhjen e gjakut mes tyre, raporton Kryefjala.
Në reagimin e tij, ai shprehet se hyrja e Elijonës në Big Brother ka qenë vendimi i saj personal, ndërsa situatat që po ndodhin brenda spektaklit i konsideron si “eksperiment mbi dhimbjen njerëzore” dhe jo thjesht një format argëtimi.
Ai gjithashtu kritikon edhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen historitë personale në emision, duke theksuar se ndërtimi i një “karriere” mbi tragjedinë e dikujt tjetër nuk përbën sukses, por dështim moral.
Zhubaj jep edhe një mesazh mbështetës për mbesën e tij, duke shprehur se e pret jashtë shtëpisë “me fitore”, një frazë që u interpretua nga ndjekësit si shenjë se, pavarësisht polemikave, ai qëndron në krah të saj.

