Pas një operacioni të koordinuar me partnerë ndërkombëtarë, autoritetet shqiptare kanë arritur të kthejnë në vend Eva Dumanin që prej vitesh ndodhej në një kamp në Siri. Në një mision të mëparshëm riatdhesimi kishte refuzuar të largohej, ndërkohë që në atë kohë ishte rikthyer në Shqipëri vëllai i saj.
“Kam vendosur të mos kthehem më. Talhen (Endrin) e çova, merre ti. Ka një çantë blu amanet”, duke iu referuar vëllait që u riatdhesua më herët.
Burime bëjnë të ditur se në këtë proces janë përfshirë Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Policinë e Shtetit dhe zyrtarë të strukturave kundër terrorizmit, në bashkëpunim me autoritetet turke. Eva Dumani ka mbërritur paraditen e sotme në aeroportin e Rinasit, pas transferimit nga Turqia me linjën Pegasus.
Eva dhe Endri Dumani ishin dy nga 80 fëmijët dhe gratë që kishin mbetur në kampin Al Hawl në Siri, pas rënies së Shtetit Islamik. Ata ishin përkatësisht 8 dhe 6 vjeç kur babai i tyre i rrëmbeu drejt Sirisë për t’iu bashkuar xhihadistëve në shtetin islamik. Gjyshja e tyre shkoi atje për të tërhequr fëmijët pas vrasjes së të atit, por dha shpirt e burgosur në kamp.