Teksa po afrohet data e startit të edicionit të tretë të reality show-t “Ferma VIP”, që pritet të nisë më 20 mars, rrjetet sociale dhe mediat rozë janë mbushur me aludime për emrat që mund të bëhen pjesë e këtij formati. Disa prej tyre përfliten si konkurrentë të mundshëm, ndërsa për disa të tjerë thuhet se janë tashmë në diskutime me produksionin.
Mes emrave që po qarkullojnë janë Jonida Maliqi, Romir Zalla, Mimoza Ahmeti, Akil Varfi, Ledian Agallijaj, Indri Shiroka, si dhe Inida Gjata, e cila sipas zërave mund të ketë një rol si opinioniste. Ndërkohë, një nga figurat që pritet të ketë rol kyç në format është edhe Ilir Shaqiri, për të cilin thuhet se do të jetë “kryeplaku” i fermës.
Por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendje së fundmi është një story në Instagram, ku Ilir Shaqiri shfaqet së bashku me gazetarin dhe moderatorin Ermal Qori. Videoja ka nxitur menjëherë reagime në rrjet, pasi shumë ndjekës kanë filluar të pyesin nëse kjo është një “shenjë” se Qori mund të jetë një nga fermerët e këtij edicioni.
Në pamje, dyshja shfaqet në një moment të qetë dhe miqësor, por për publikun e reality-show-ve kjo ka mjaftuar për të ngritur dyshime se Ilir Shaqiri mund të jetë duke “rekrutuar” konkurrentë për fermën. Kjo ide është përforcuar edhe nga fakti që roli i tij si kryeplak pritet të ketë një ndikim të madh në dinamiken e spektaklit.
Ermal Qori, i njohur për publikun si gazetar dhe moderator, nuk ka bërë ende asnjë reagim zyrtar për pjesëmarrjen e mundshme në “Ferma VIP”. Megjithatë, shfaqja e tij në story me Shaqirin ka mjaftuar që rrjeti të nisë spekulimet se ai mund të jetë një nga surprizat e këtij sezoni.
Ndërkohë, produksioni i spektaklit nuk ka konfirmuar ende listën zyrtare të konkurrentëve, duke e lënë publikun në pritje. Me afrimin e datës së nisjes, pritet që emrat të zbulohen një nga një, ndërsa çdo lëvizje në rrjetet sociale po analizohet nga fansat.
Mbetet për t’u parë nëse Ermal Qori do të jetë vërtet një nga fermerët e rinj apo story me Ilir Shaqirin ishte thjesht një moment miqësor që ndezi imagjinatën e rrjetit. Një gjë është e sigurt: “Ferma VIP 3” ka nisur të krijojë zhurmë që përpara startit.