Eliona Pitarka
Pas akuzave të ngritura, nga një klinikë private, Eliona Pitarka ka reaguar publikisht përmes një video në rrjete sociale, duke i hedhur poshtë në mënyrë kategorike pretendimet dhe duke sqaruar se ndaj saj nuk ekziston asnjë shkelje ligjore apo procedurë gjyqësore.
Deklaratën e saj, Pitarka e nis me një ironi “nuk jam në burg” dhe më pas thekson se kjo çështje është tepër sensitive për të pasi lidhet drejtpërdrejt me fëmijët.
Ajo nënvizon se nuk ka ndarë asgjë që shkel ligjin, por vetëm informacione të përgjithshme, edukative, të një natyre publike, të njëjta me ato që janë shpërndarë prej vitesh në media, intervista dhe platforma të hapura nga vetë profesionistë të fushës… madje edhe nga vetë mjeku në fjalë. Eliona sqaron se nuk është pozicionuar kurrë si mjeke, nuk ka dhënë diagnoza apo këshilla individuale, por ka ndarë përvoja dhe informacione të përgjithshme, si nënë dhe si person publik, në mënyrë transparente dhe të verifikueshme.
Një tjetër pikë kyçe e deklaratës lidhet me tentativën për të kufizuar informacionin. Sipas Pitarkës, çdo përpjekje për ta “bllokuar” informacionin ka një qëllim të vetëm, ta zhvendosë atë nga hapësira publike drejt një marrëdhënieje me pagesë ndërsa shprehet se “humanizmi ka mbaruar në vendin tonë, por çdo gjë është kthyer në biznes”.
Deklarata i përgjigjet drejtpërdrejt edhe akuzave për mesazhe kërcënuese, të cilat Pitarka i mohon kategorikisht, duke i quajtur të pavërteta. Për Kryefjalën, aktorja ka vënë në dispozicion edhe mesazhe që vërtetojnë këtë gjë. Ajo gjithashtu ka vënë në dispozicion edhe foto ku pak para kësaj situate, e sugjeronte mjekun në fjalë shpesh në story-t e saj për nënat që e pyesnin në Instagram, ku më pas klinika private e ripostonte. Ndërsa sapo u shpërnda një informacion që sipas tyre duhet të PAGUHET, kjo klinikë nisi sulmin.


Në fund, aktorja hedh poshtë edhe pretendimet për një proces gjyqësor, duke sqaruar se nuk ka marrë asnjë thirrje, njoftim apo dokument zyrtar nga ndonjë institucion ligjor.
Ky fakt, sipas saj, bëhet fjalë për akuza publike pa bazë ligjore, që synojnë më shumë dëmtimin e imazhit, sesa ndjekjen e një procesi real juridik.
Ajo që e bën edhe më të rëndë si situatë, në faqen zyrtare të klinikës, jepen këto lloj përgjigjesh aspak serioze… dhe sipas Elionës ky fakt e stepte për të bërë një reagim lidhur me këtë çështje.

Reagimi i Eliona Pitarkës vjen si një deklaratë e fortë mbrojtëse, duke theksuar se ndarja e informacionit publik dhe edukativ nuk përbën shkelje, por është pjesë e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë sociale ndaj prindërve dhe komunitetit.