
Dëshmitarët në vendngjarje kanë parë një të ri që është afruar me motoçikletë, e ka pyetur shqiptarin për emrin dhe pasi ka marrë konfirmimin ka qëlluar me armë drejt tij.
Artur Tushi, 44 vjeç, u ekzekutua në qytetin e Medelinit në Kolumbi, ndërsa autori i krimit, një shtetas venezuelian, u arrestua nga policia. Tushi, i njohur edhe me pseudonimin ‘Qoti’ dhe me origjinë nga fshati Raboshtë i Lezhës, mbante dokumente ekuadoriane. Ai u qëllua për vdekje pranë qendrës tregtare “Santa Fe”, në lagjen e njohur El Poblado.
Dëshmitarët në vendngjarje kanë parë një të ri që është afruar me motoçikletë, e ka pyetur shqiptarin për emrin dhe pasi ka marrë konfirmimin ka qëlluar me armë drejt tij. Mediatkolumbiane raportojnë se shqiptari u qëllua disa herë, ndërsa në trup ka të paktën 11 plumba, kryesisht në gjoks. Nga breshëria e plumbave mbeti e plagosur edhe një grua 77-vjeçare, ndërsa ende nuk dihet nëse ajo ishte në shoqërinë e viktimës apo thjesht një kalimtare e rastit.
“Përmes zyrës së Interpolit, ne kemi kërkuar informacione nga vende të ndryshme që do të kontribuojnë në identifikimin e tij të plotë dhe do të përcaktojnë nëse ky individ ka ndonjë të kaluar kriminale ose precedent penal. I ndaluari iu dorëzua Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe do të përballet me një vendim para një gjyqtari, duke u përballur me dënime të mundshme deri në 33 vjet burg”, tha Gjenerali William Castaño, komandant i Policisë Metropolitane.
Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh. Ndërkohë hetimet e InSight Crime tregojnë se rrjetet shqiptare janë një lojtar kyç në trafikun e drogës në Amerikën Latine, duke përdorur Ekuadorin si bazë kryesore për operacionet e tyre transatlantike. Këto grupe kriminale ballkanike kanë dërguar emisarë në Amerikën e Jugut për të negociuar drejtpërdrejt me prodhuesit e kokainës (siç janë disidentët e FARC-ut ose Urabeños në Kolumbi) për të siguruar çmimin më të ulët të mundshëm me shumicë.