Ermir Dedja 29 vjeç, anëtar i grupit të njohur kriminal të Shijakut, Avdylajve, u vra pak pas mesnate në lagjen 18 të Durrësit. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë qendrës shëndetësore, teksa i riu po lëvizte në këmbë, veshur me kostum sportiv. Persona ende të paidentifikuar e qëlluan për vdekje me plumba kallashnikovi, nga një makinë e bardhë tip “Seat”.

Nga pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë shihet se makina e autorëve lëviz në krahun e kundërt dhe pak çaste më vonë dëgjohen të shtënat që e lanë Dedjan të plagosur. I riu nuk mundi t’u mbijetojë plagëve në Spitalin e Durrësit, ku fatkeqësisht ndërroi jetë.
Të shtënat e armës së autorëve, të cilët dyshohet se ishin të paktën 3 persona, bashkë me drejtuesin e mjetit, tmerruan kalimtarët që në ato momente lëviznin në rrugë. Në një video të siguruar shfaqen 2 persona që ikin me vrap për t’i shpëtuar plumbave.
Bashkëpunimi i vrasësve duket të jetë kompakt, pasi informuan njëri-tjetrin në detaje për lëvizjet e viktimës, derisa e gjetën të pambrojtur teksa ecte në trotuar.
Pasi kryen vrasjen, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me automjetin “Seat”, i njëjti që shfaqet edhenë pamjet e siguruara. Pak orë më vonë, policia e Vorës e gjeti makinën të djegur në afërsi të Gërdecit, bashkë me armën e krimit, një kallashnikov, të shkrumbuar plotësisht. Hetuesit kanë pak shpresë që përmes saj të zbardhin ngjarjen, pasi provat e mundshme biologjike u shkatërruan nga flakët. E vetmja shpresë mbetet një gjurmim i mundshëm i numrit të shasisë, çka mund t’i jap një drejtim hetimeve, ndërsa targat rezultuan të vjedhura më herët.
Një banor i zonës tha se e pa nga dritarja Dedjan të shtrirë në tokë. Sipas asaj që mundi të konstatojë, kuptoi që ishte qëlluar në zonën e shpatullave. Pak çaste më vonë, sipas tij, erdhi policia dhe pas tyre një autoambulancë që e mori trupin.
Deri në këtë fazë, hetuesit në Durrës kanë të qartë dinamikën e vrasjes, ndërsa sa i përket motivit dyshohet se është prishje pazaresh të drogës. Për të gjurmuar autorët, një numër i madh kamerash sigurie po këqyren në distancë, me shpresën për të kapur detaje që mund të zbardhin identitetin e tyre. Pak orë pas ngjarjes policia nuk ka të dyshuar, po ashtu as një pistë konkrete. Megjithatë, e shkuara e kriminale e viktimës dhe lidhjet me Avdylajt janë fokusi kryesor deri më tani.

Ermir Dedja, me origjinë nga Shijaku, por me banim në Durrës, në 2015-ën, u arrestua pasi i shiti lëndë narkotike një grupi që synonte ta trafikonte në Kosovës, përmes pikës kufitare të Morinës. Dy vite më vonë, u arrestua sërish, këtë herë për përkrahje ndaj Ismail Nuredinit, autor i një plagosjeje në Shijak.