Pamje nga protesta
Pas videos që ka qarkulluar në rrjet, ku pretendohet se një i ri ka provokuar protestuesit e opozitës dhe ka ndikuar në përshkallëzimin e situatës, ka reaguar vetë protagonisti i përmendur në pamje.
I riu, ka sqaruar versionin e tij të ngjarjes, duke mohuar kategorikisht se ka qenë pjesë e protestës apo se ka pasur rol në tensionimin e situatës.
“Disa media kanë nxjerrë sikur unë kam qenë pjesë e protestës. Unë kam qenë duke shkuar për në shtëpi,” shprehet ai.
Sipas tij, gjithçka ka ndodhur rastësisht pranë zonës së xhamisë, ku ka pasur një përballje të papritur me një qytetare.
“Tek xhamia konstatoj një zonjë që më vjen dhe më thotë: ‘a e di ti që unë të bëj, unë të kthej’,” tregon ai, duke shtuar se nuk ka asnjë lidhje politike.
“Mua nuk më pëlqen asnjë parti,” thekson i riu, duke hedhur poshtë çdo aludim për përfshirje në protesta.
Ai gjithashtu bën me dije se ka ndërmarrë hapa ligjorë për situatën, duke depozituar një ankesë pranë autoriteteve.
“Kam bërë edhe një ankesë në Drejtorinë e Policisë për rastin dhe do merret shteti me to. Shpresoj që të zgjidhet,” shprehet ai.
Ndërkohë, Luizi ka publikuar edhe disa mesazhe kërcënuese që pretendon se i kanë ardhur në rrjetet sociale pas publikimit të videos, duke shtuar se situata ka marrë përmasa shqetësuese për të.

Ngjarja ka ngjallur debat në rrjet, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të verifikojnë rrethanat dhe rolin e secilit në incidentin e ndodhur gjatë protestës.