Ngjarja e rëndë që i mori jetën 31-vjeçarit Egli Pashollari ka ngjallur reagime të shumta, ndërsa në media janë raportuar versione të ndryshme për shkaqet e konfliktit. Por një mik i afërt i viktimës ka vendosur të flasë “pa dorashka”, duke dhënë një tjetër këndvështrim për atë që ka ndodhur.
Në një komunikim, ai mohon kategorikisht pretendimet se konflikti ka nisur për shkak të një ngacmimi ndaj një vajze.
“Janë të gjitha shpifje. Egli nuk ka ngacmuar asnjë. Ka qenë djalë shumë i mirë,” shprehet ai.
Sipas tij, gjithçka ka nisur nga një incident i thjeshtë në rrugë. Ai tregon se Egli kishte ndaluar makinën, kur një automjet nga pas i kishte rënë borisë. Në atë moment, viktima i kishte bërë një shenjë tipike “çfarë ke?”, por sipas mikut, kjo është keqinterpretuar nga një tjetër drejtues mjeti.
“Makina që ishte pas tij mendoi se e shau. Ai e ndoqi nga pas dhe i bënte me drita që të ndalonte,” tregon miku.
Sipas këtij versioni, situata është përshkallëzuar në momentin kur Egli ka ndaluar dhe ka zbritur nga makina, ku më pas ka nisur përplasja fizike.
“Kur zbriti, aty ka plas sherri dhe i kanë ngulur thikën,” shprehet ai.
Po ashtu, miku hedh poshtë edhe pretendimet se një vajzë ka marrë pjesë në sulm, duke sqaruar rolin e saj në momentet dramatike.
“Ajo vajza nuk e ka sulmuar. Përkundrazi, ajo i ka hequr thikën nga trupi,” thotë ai.
Po ashtu, ai mohon edhe lajmet për të kaluarën e viktimës, duke thënë se nuk ka qenë as gardian burgu dhe as pjesë e ndonjë grupi kriminal.
“Po i ulin imazhin kot. Nuk ka qenë gardian burgu, as pjesë e ndonjë grupi kriminal. Janë shpifje. Egli ka qenë djalë i mirë,” përfundon ai.”- shkruan ai në bisedë.
Në fund, miku i tij pretendon se ekzistojnë edhe prova për atë që ai thotë.
“Ka dëshmi dhe video,” shton ai, duke lënë të kuptohet se versioni i plotë i ngjarjes mund të dalë në dritë në vijim.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet që versionet e ndryshme të verifikohen për të sqaruar rrethanat e sakta të konfliktit tragjik.

