Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Bathore. 21-vjeçari Juris Becaj ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në ambientet e fabrikës “Sews Cabind Albania”, ku punonte prej kohësh.
Sipas dëshmive të kolegëve, i riu ka pësuar një arrest kardiak gjatë orarit të punës. Ata kanë tentuar disa herë të njoftojnë ambulancën, por telefonatat nuk janë hapur. Mësohet se ekipi mjekësor ka mbërritur me vonesë dhe, pasi i është dhënë adrenalinë, Jurisi ka reaguar për pak çaste, por dhjetë minuta më pas ka ndërruar jetë në vendin e punës.

Punëtorët tregojnë se pas ngjarjes janë mbledhur për t’i bërë nderimet të ndjerit dhe për të mos vazhduar punën, por drejtuesit e fabrikës i kanë paralajmëruar me përjashtim nëse ndalojnë prodhimin.
Ndërkohë, sipas tyre, po tentohet të paraqitet rasti si vdekje në spital, për të shmangur përgjegjësinë e fabrikës për një ngjarje të ndodhur në vendin e punës dhe detyrimin për të paguar sigurimin jetësor.
Kolegët tregojnë se 21-vjeçari nuk kishte shfaqur asnjë problem shëndetësor dhe madje merrej me palestër. Ai ndodhej në turnin e tretë, një orar që, sipas punëtorëve, shumë prej tyre nuk arrijnë ta përballojnë për shkak të lodhjes ekstreme.
Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e shërbimit të urgjencës dhe respektin ndaj jetës e dinjitetit të punëtorëve në vendin e punës.