Finalistët dhe një pjesë e mirë e ish-banorëve të “Big Brother VIP Kosova 4” do të rikthehen sërish në shtëpinë që i bëri protagonistë për muaj me radhë. Të hënën dhe të premten, në orën 21:00, publiku do të ndjekë dy episode speciale të “Post Big Brother”, ku pritet të zbulohen prapaskenat dhe të sqarohen përfundimisht debatet që mbetën pezull pas finales.
Promoja e publikuar ka ndezur menjëherë rrjetin, sidomos për shkak të raportit të shumëpërfolur mes Klodit dhe Elijonës, i cili duket se do të marrë një tjetër drejtim.
Pas javësh të mbushura me aludime dhe situata të paqarta brenda shtëpisë, Klodi dëgjohet teksa pranon hapur: “Normal që mua më ka pëlqyer Elijona”. Një deklaratë që ka rikthyer menjëherë vëmendjen te dinamika mes tyre.
Nga ana tjetër, reagimi i Elijonës nuk ka munguar. Në një insert ajo shfaqet duke qeshur dhe thotë: “U çlirova, më në fund e tha”, duke shtuar edhe më shumë kuriozitet mbi atë që mund të ketë ndodhur realisht mes tyre.
Por nuk mbaron me kaq. Një tjetër moment i shumëpritur është edhe sqarimi i Klodit për jetën e tij personale jashtë shtëpisë. Ai pritet të flasë hapur për raportin me partneren e tij, Alice, e cila pavarësisht situatave të krijuara gjatë lojës, ishte pranë tij në natën e finales në Prishtinë.
Me emocione, përballje dhe të pathëna që pritet të dalin në dritë, “Post Big Brother” premton të rikthejë edhe një herë në qendër të vëmendjes historitë që mbajtën publikun të mbërthyer për muaj të tërë.