Policia e Tiranës ka arrestuar sot shtetasen indoneziane, Ayu Putri, 20 vjeçe, pasi dyshohet se ka vrarë foshnjën e saj.
Indonezianja kishte mbërritur para disa muajve në Shqipëri së bashku me disa shoqe të saj, të cilat banonin me qira në një apartament në Tiranë. Mësohet se Putri së bashku me mikeshat e saj punonin në kryeqytet si pastruese në biznese të ndryshme. Sipas informacioneve, bëhet me dije se kur 20-vjeçarja ka arritur në Shqipëri ka qenë 5 muajsh shtatzënë. Foshnja erdhi në jetë rreth dy muaj më parë.
Ayu Putri e ka lënë foshnjën në ballkonin e banesës ku jetonte, duke e braktisur. Ishin shoqet e saj ato që kanë lajmëruar pronarin e apartamentit ku jetonte 20-vjeçarja dhe më pas ai ka lajmëruar policinë për ngjarjen. Foshnja është dërguar menjëherë në spital, por pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk ka mundur të mbijetojë.
Procedimi penal për të renë ishte ndjekur në gjendje të lirë për shkak të gjendjes jo të mirë të saj, më pas, pas vendimit të Gjykatës, është lëshuar urdhri i ndalimit dhe 20-vjeçarja është arrestuar. Sipas hetimeve thuhet se gjatë muajve të shtatzënisë, e reja ka përjetuar stres dhe një gjendje të rënduar psikologjike.