Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Rajonin Kukës–Dibër ka ndaluar një punonjës policie të DVP Dibër, i cili akuzohet për një rast të rëndë të abuzimit seksual dhe shpërdorimit të detyrës.
Inspektori J.U., ndaj të cilit nisi hetimi pas denoncimit të një qytetareje për përdhunim nën kërcënim, u arrestua nga agjentët e AMP në momentin e rikthimit në territorin shqiptar, pasi ishte larguar drejt Kosovës pas ngjarjes së 17 nëntorit.
Në dosje janë përfshirë edhe dy persona të tjerë të dyshuar për mbështetjen dhe nxitjen e fshehjes së ngjarjes.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor J.U., me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Nd/Specialist i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Dibër dhe aktualisht me detyrë Nd/Specialist në Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar në nenet 102 dhe 248 të Kodit Penal.
Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 17.11.2025, ku pas kallëzimit të shtetases L.H., e cila ka ngritur pretendimin se punonjësi i policisë nëpërmjet shantazhit dhe kërcënimit ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, AMP ka dërguar materialet proceduriale shtesë edhe për shtetasen M.U., e dyshuar për veprën penale “Kanosja për të mos kallëzuar” parashikuar në nenin 311 të Kodit Penal dhe shtetasin A.K., i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit në krim” parashikuar në nenin 302 të Kodit Penal.
Pas hetimeve me metoda speciale hetimi, u konstatua se punonjësi i policisë gjatë kësaj kohe ishte larguar në Republikën e Kosovës dhe ditën e sotme u bë i mundur ndalimi i tij nga agjentët e AMP në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë.