Një foshnje 2 muajshe ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin rajonal të Korçës.
Sipas informacioneve paraprake, foshnja është paraqitur në pediatrinë e spitalit në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Policia dhe spitali bëjnë me dije se i mituri po mbahet nën kujdes intensiv nga mjekët, ndërsa parametrat jetësorë raportohet se janë në kufij minimalë.
Nga të njëjtat burime mësohet se foshnja ka lindur dy muaj më parë prematurë, në muajin e shtatë të shtatzënisë. Fillimisht ai është trajtuar në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë, nga ku kishte dalë në gjendje të mirë shëndetësore. Megjithatë, pas kthimit në banesë, gjendja e tij dyshohet se është përkeqësuar ndjeshëm.
Dyshimet e para të hetuesve lidhen me kequshqyerjen. Burimet bëjnë me dije se dyshohet që nëna të mos jetë kujdesur për ushqyerjen e foshnjës me gji, çka mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të saj.
Po ashtu, sipas të njëjtave burime, ekzistojnë dyshime se nëna mund të ketë probleme të shëndetit mendor.
Burime spitalore bëjnë të ditur se në momentin kur foshnja ka mbërritur në spital, ai ka qenë në gjendje shumë të rëndë, me probleme të theksuara respiratore dhe me peshë rreth 1 kilogram. Sipas mjekëve, kjo peshë rezulton të jetë e njëjtë me atë që kishte në momentin e lindjes, çka tregon se gjatë dy muajve të jetës nuk ka pasur zhvillim të mëtejshëm.
Kequshqyerja mbetet dyshimi kryesor për përkeqësimin e gjendjes së foshnjës, megjithatë nuk përjashtohen edhe faktorë të tjerë që lidhen me lindjen e parakohshme.
Ndërkohë, mjekët po shqyrtojnë mundësinë e transportimit urgjent të foshnjës drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.