Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në urën e fshatit Fshat, pjesë e Rrugës së Arbrit. Sipas informacioneve të marra, dyshohet se një 39-vjeçar, nipi i Nehat Kullës, Klodian Kulla është hedhur nga ura.
Ai ka lënë makinën në mes të urës, është ngjitur mbi mbrojtëset anësore dhe më pas është hedhur.
Ura është rreth 158 metra e lartë, duke u konsideruar si ura më e lartë në Ballkan.
Trupi i pajetë u nxor nga humnera pas disa orësh kërkimi nga shërbimet e zjarrfikësve, forcave Shqiponja dhe policisë së Burrelit. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që policia po bën ekspertizën në Tiranë nëse ka kryer vetëvrasje apo është vrarë.
“Më datë 08.12.2025, rreth orës 23:40, tek ura e fshatit Fshat, bashkia Klos, shtetasi K.K., rreth 39 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe për pasojë, ka humbur jetën. Si pasojë e terrenit të vështirë, pas disa orësh kërkimi nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikësve, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit nga gremina. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.”, njoftoi policia.
Klodian Kulla ishte emër i njohur për policinë. Ai u arrestua në prill të vitit 2021 pas një operacioni të SPAK për arsenal armësh bashkë me 8 të tjerë. Në kërkim u shpall edhe i vëllai Akil Kulla, ndaj të cilit, GJKKO dha në qershor të atij viti dënimin me 8.8 vite burg.
Klodian Kulla ishte nipi i Nehat Kullës, i cili njihej si “Gjenerali” dhe banda e tij veproi në Tufinë në vitet 1997-1998.


