Zona nga Nikla në afërsi të Aeroportit të Rinasit ka pasur mungesë të energjisë elektrike mesditën e djeshme, kohë që përkon me atentatin e ndodhur në drejtim të Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit. Autorët e këtij atentati, që dyshohet të jetë një prej më të mirëorganizuarve që ka ndodhur së fundi, kanë ardhur nga Nikla në drejtim të Rinasit, dhe pas kryerjes së krimit, e dogjën mjetin e tyre tip Toyota me targa greke në afërsi të fshatit Halil, për të humbur gjurmët.
Grupi hetimor i ngritur pas atentatit të ndodhur mesditën e të martës në aeroportin e Rinasit, po vëzhgon veprimet e një të riu, që mund të ketë ndihmuar me informacion autorët e vrasjes së Gilmando Danit, dhe plagosjes së Muçi Shaljanit. Personi në fjalë, një i ri me trup mesatar, ka mbërritur në Rinas rreth orës 13:00, ku ka zbritur nga një makinë tip “Fiat” që u parkua pranë parkimit të aeroportit. Duke iu referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, ky shtetas futur brenda aeroportit dhe ka parë në monitor avionët që do të zbresnin në ato minuta. Sipas verifikimeve, avioni i linjës Barcelonë–Tiranë ishte vonuar me rreth 15 minuta, dhe në ato çaste ai është drejtuar drejt tualeteve të aeroportit, për t’u kthyer më pas në vendin ku dalin pasagjerët.
Nga kqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se, sapo kanë mbërritur Dani dhe Muçi, të cilët kishin me vete nga një çantë, personi i dyshuar ka nisur menjëherë telefonatat. Ky shtetas i ka ndjekur nga pas dy personat deri sa ata kanë hipur në makinë, ku sipas informacioneve, qëllimi i tij ishte të tregonte se ku do të ulej shënjestra Gilmando Dani. Sapo dy personat kanë hipur në makinë, i dyshuari është larguar me shpejtësi në këmbë në krahun e kundërt të lëvizjes.
Ndërkohë që viktima dhe i plagosur, janë larguar nga parkimi, ku kanë bërë pagesën, dhe më pas janë nisur në drejtim të rrethrrotullimit. Sipas policisë, një makinë ka ndaluar përpara automjetit të viktimës, duke qëndruar disa minuta pa lëvizur, dhe besohet se ky ka qenë momenti kur autorët kanë marrë sinjalin për sulm.
Sapo automjeti i viktimës i është afruar rrethrrotullimit, nga një “Toyota” kanë dalë tre persona, ndërsa një tjetër ka qëndruar në makinë. Me tre armë kallashnikov është shtënë në drejtim të automjetit “Benz”, ku sipas policisë, qëllimi ishte pasagjeri në këtë mjet.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, për rreth 5 sekonda askush nuk ka lëvizur nga mjeti, por më pas është afruar një person i maskuar me kallashnikov, i cili ka shkuar te dera e pasagjerit dhe ka qëlluar disa herë nga xhami, përpara se të largohej.
Mbi Benzin ku udhëtonte Dani janë derdhur rreth 100 plumba, ndërkohë edhe pse një nga zonat më të frekuentuara dhe lëvizjen më të lartë të qytetarëve, në momentin e krimit në vendin e ngjarjes nuk ndodhej asnjë patrullë policie, çka iu mundësoi autorëve që të largoheshin të pashqetësuar, dhe të digjnin mjetin në fshatin Halilaj të Fushë Krujës.