Pas vrasjes tragjike të Keli Hoxhës në kalanë e Beratit, bashkëshortja e tij, Vjola Haxhia, ka dërguar një mesazh prekës për gazetarin Blendi Fevziu, ku tregon versionin e saj të plotë për mënyrën se si ndodhi ngjarja.
“Unë jam Vjola Haxhia, bashkëshortja e Keli Hoxhës, i cili u vra të martën në Berat. Fillimisht dua t’ju falënderoj shumë për kohën dhe vëmendjen që i keni kushtuar ngjarjes sonë,” – shkruan ajo.
“Ne, si familje, jetojmë prej 14 vitesh në Britaninë e Madhe dhe kishim ardhur në Shqipëri për pushime. Një nga destinacionet tona ishte vizita në kalanë e Beratit, që t’u mësonim edhe fëmijëve më shumë rreth historisë shqiptare.”
Sipas rrëfimit të saj, ngjarja ka ndodhur pranë qendrës së kalasë:
“Teksa po ecim me familjen dhe nënën e bashkëshortit, vajza jonë 8-vjeçare, Sevia, pa një kalë të lidhur në një shtyllë dhe kërkoi ta prekte. Theksoj se në atë moment kali ishte vetëm, pa të zotin aty. Keli, bashkë me vajzën, u afruan ta preknin nga gusha. Papritur u shfaq pronari i kalit, duke ulëritur që të mos e prekeshin sepse kali acarohej.”
“Bashkëshorti im i tha me qetësi se ishte rritur në fshat, kishte pasur kuaj dhe dinte si të sillej me to. Por pronari nisi ta ofendonte me fjalë të rënda. Keli i tha: ‘Je në moshën e gjyshit tim dhe nuk dua të debatoj me ty’. Në ato momente ai ishte dorë për dore me vajzën.”
“Teksa u kthye për të ardhur drejt nesh, pronari e pështyu tre herë nga pas dhe e shau nga familja. Keli u kthye nga ai, por në sekondën që u kthye përsëri nga unë, vuri dorën në bark dhe më tha: ‘Shpirt, njofto ambulancën, më vrau me thikë’… dhe ra në tokë, i mbuluar me gjak.”
Sipas Vjolës, ngjarja ka ndodhur përpara dhjetëra turistëve, ndërsa ajo mohon kategorikisht versionet që janë qarkulluar në disa media.
“Kam lexuar në disa portale që thuhet se u vra sepse nuk bëri pagesën për një foto. E kundërshtoj rreptësisht një lajm të tillë, sepse Keli nuk bëri asnjë foto dhe nuk pati asnjë debat për pagesë. E vrau pa shkak, përpara vajzës sonë.”
Në fund të mesazhit të saj, ajo shpreh dhimbjen dhe zhgënjimin e thellë për mungesën e reagimit institucional:
“Pse askush nuk flet për fëmijët e mi? Janë në shok, nuk flenë, nuk hanë, nuk flasin. Mund të ishte vrarë edhe vajza ime atë ditë.”