
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin pas mesnatës, ku një burrë sulmoi me thikë bashkëshorten dhe vajzën e saj të mitur. Një dëshmitar i ngjarjes ka rrëfyer tmerrin që ka parë në vendngjarje:
“Pas e krye punën vet forenzika, e kam thirr pronarin e banesës. Ka ardhur pronari dhe së bashku me të kemi filluar prej shkallëve, kemi dalë dhe kemi larë gjakun deri në aktin e tretë, deri në të katërtin, se edhe një kat më lart ka shkuar fëmija, ka ik,” ka treguar dëshmitari, duke përshkruar dramatizmin e momentit dhe pasojat e tmerrshme të sulmit.
Sipas burimeve zyrtare, viktimat janë bashkëshortja e autorit dhe vajza e saj, të dyja të plagosura rëndë nga mjeti i mprehtë. Të dyja u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku mjekët konfirmuan se gjendja e tyre mbetet kritike.
Lexo edhe:
Shefi i Emergjencës, dr. Hekuran Veçgishti, ka deklaruar:
“Janë sjellë në emergjencë në orën 00:45, me plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas ekzaminimeve radiologjike dhe konsultimit me kirurgun, janë pranuar për trajtim të mëtejshëm në mjekim intensiv qendror. Gjendja e tyre mbetet e rëndë.”
Policia dhe njësia e teknikës kriminalistike ndërhynë menjëherë në vendngjarje, duke arrestuar Bashkim Gashin, 51-vjeç, autori i dyshuar i sulmit. Prokurori ka lëshuar aktvendim ndalimi për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes.


