Screenshot
Rogerti ka lënë mbrëmjen e sotme shtëpinë e Big Brother VIP Albania, pas një prime-i të mbushur me tension dhe akuza të forta ndaj tij.
Vendimi për t’u larguar erdhi menjëherë pasi opinionistja Monika i tha drejtpërdrejt në studio: “Më mirë dil sesa të fëlliqesh kështu si po fëlliqesh.” Kjo deklaratë duket se ishte pika kulmore e një situate që prej ditësh kishte ndezur debate të ashpra brenda dhe jashtë shtëpisë.
Ngjarja e sotme lidhet drejtpërdrejt me ofendimet e rënda që Rogerti bëri në ditët e fundit. Ai përfshiu familjen e Mateos në debat, duke i drejtuar një pyetje denigruese për motrën e tij, gjë që shkaktoi reagim të fortë edhe nga familjarët jashtë shtëpisë. Gjithashtu edhe gjatë një përplasjeje me Selin, ai iu drejtua me fjalët: “Me sa meshkuj ke shkuar njëkohësisht?”, një deklaratë që u konsiderua fyese dhe e papranueshme.
Këto episode u rikthyen në vëmendje gjatë prime-it, duke sjellë reagime të ashpra nga opinioni publik dhe nga paneli në studio. Nën presionin e situatës dhe pas komenteve të forta, Rogerti vendosi të dalë menjëherë nga shtëpia, duke lënë pas një nga momentet më të bujshme të këtij edicioni.
Mbetet për t’u parë nëse ky largim do të konsiderohet përfundimtar apo nëse produksioni do të marrë një vendim tjetër, por një gjë është e sigurt: ngjarjet e fundit shënuan fundin e rrugëtimit të tij në mënyrën më dramatike të mundshme.