Para pak ditësh, një 7-vjeçare dyshohet se është sulmuar seksualisht nga punëtori i një shkolle në Vushtrri, rast i cili tronditi mbarë qytetin.
Klankosova.tv ka kuptuar se i dyshuari është Ilir Ademi (foton e të cilit e ka publikuar redaksia), i moshës rreth 34-vjeçare i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.
Për rastin e rëndë ka folur një person i cili në redaksi është paraqitur si vëllai i të dyshuarit. Sipas tij, ngjarja nuk përkon krejtësisht me atë se çka po raportohet në media, megjithatë, pranoi se vëllai i tij atë ditë ka qenë i dehur.
“Vëllai im ka qenë i dehur 82 për qind pas matjes që ia ka bërë policia. Drejtori ka deklaruar se ai nuk ka qenë në punë, por vëllai im ka shkuar në punë. Të nesërmen kishte në plan të udhëtonte për në Francë, te motra. Atë ditë ai ishte liruar më herët nga puna, pasi kolegët i kanë thënë: shko, se ne t’i kryejmë punët”, deklaroi personi i paraqitur si vëllai i Ilir Ademit.
Ndër të tjera, ky person tha se pasi vëllai i tij ka dalë nga shkolla ka takuar vajzën në fjalë, e cila, siç thotë ai, ka qenë duke qarë.
“Ajo i ka thënë se po ndjehet e frikësuar nga qentë. Ai më pas e ka përqafuar dhe e ka puthur në faqe. Më pas drejtori i ka marrë pamjet e kamerave dhe e ka bërë të madhe rastin. Nuk po them që nuk ka kurrgjë në këtë rast, por jo ashtu siç po paraqitet”, tha ai.
Ndërsa sa i përket konsumit të alkoolit, vëllai i punëtorit të dyshuar për sulm seksual, zbuloi se i njëjti herë pas herë është i dehur.
“Si ka mundësi me mbajtë në punë vëllanë tim, kur ai që një vit herë pas here shkon në punë i dehur”, shtoi ai.
Ndërkohë sipas burimeve të Klankosova.tv, i dyshuari thuhet se kishte qenë i suspenduar edhe më herët, megjithatë këto informacione ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, derisa redaksia ka tentuar të marrë një tjetër deklarim nga Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Naile Kovaqi – Bekteshi, por e njëjta akoma s’ka kthyer përgjigje./Klankosova.tv