Një ngjarje e rëndë ndodhi të hënën në Greqi, ku burrë e grua shqiptar u dhunuan nga 3 grekë. Burri aktualisht ka disa fraktura në nofullën e tij dhe në duar, por edhe gruaja nuk ka shpëtuar. Identiteti i tyre nuk është bërë me dije, por ata kanë treguar versionin e tyre për mediat greke.
“Burri im nuk është mirë. As unë nuk jam, por duhet të jem pranë tij. Ai ka një nofull të thyer, të cilën mjekët nuk e shikojnë si duhet, këmba e tij është në allçi, ka qepje në kokë dhe nuk mund të lëvizë. Jeta e tij nuk është në rrezik, por…,”-tha gruaja.
Në intervistën e saj për mediat greke, ajo ka rrëfyer edhe arsyen se përse nisi sherri. Sipas saj, e gjitha nisi për një tekë në trafik dhe më pas dhunuesit barbarë nuk u ndalën teksa i dhunonin.
“Njëri na zuri rrugën. Në një moment i them “zotëri, do të shkojmë në punë, mund të mos na e zini rrugën? Ai më ofendoi, nuk iu përgjigja. Kur rruga u bë më e gjerë, ndërruam korsi. Në atë moment, ai u afrua te makina, për pak më goditi, ndaloi makinën para meje dhe e fiku. Po prisja të lëvizte kur u ndez semafori, por nuk lëvizën. Hapëm derën dhe shkova ta pyes. Në atë moment tre personat në makinë po qeshnin dhe shoferi filloi të më shante. Pastaj doli djali i tij dhe erdhi të tallej me mua. Unë thjesht e shtyva dhe i thashë “merr babanë se po thërras policinë tani”. Pastaj ktheva kokën dhe po shkoja drejt makinës time kur një dorë më grushtoi, rashë në tokë. Pastaj kur ngrihem, shoh burrin tim që gjithashtu po e rrihnin. Ata donin të na vrisnin, burri im po zvarritej por ata e dhnuan sërish.”
Aktualisht, tre grekët janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim, por ende nuk janë vendosur në prangat e Policisë helene.