Babai kërcënon vajzën me thikë dhe më pas qëllon veten.
Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e kësaj të premte në Qerret, Durrës.
Ardian Varrosi në gjendje të dehur ka kërcënuar vajzën e tij se do ta vriste me thikë, ndërkohë që më herët e kishte dhunuar.
Vajza ka arritur të shpëtonte duke dalë nga banesa dhe ka kërkuar ndihmë te fqinjët.
Këta të fundit kanë rendur menjëherë në familjen Varrosi, atje ku kryefamiljari ka vijuar të kërcënonte edhe fqinjët.
Banorët e zonës kanë ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën, por ai ka vijuar me kërcënime edhe ndaj tyre.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy patrulla policie, të cilat kanë ndërhyrë për të neutralizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, kryefamiljari dyshohet se është vetëplagosur me thikë në pjesën e qafës.
Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Durrësit, ku po merr trajtim mjekësor dhe ndodhet nën mbikëqyrje.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Janë marrë në pyetje familjarët dhe dëshmitarët, ndërsa pritet që, pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, të merret një deklaratë edhe nga vetë i dyshuari.