
Hekuran Cumani
Një djalë i thjeshtë, i qetë dhe i dashur me të gjithë. Kështu e kujtojnë miqtë dhe të afërmit Hekuran Cumanin, 23-vjeçarin me origjinë shqiptare që humbi jetën tragjikisht në Peruxhia të Italisë, në parkingun e Departamentit të Matematikës.
Hekurani jetonte në Fabriano, bashkë me familjen e tij, dhe ishte një djalë që punonte fort për të ndihmuar të afërmit. Gjatë verës punonte sezonalisht në Senigallia, në një restorant familjar, ndërsa pjesën tjetër të vitit e kalonte në qytetin e tij të lindjes.
Sipas kushëririt të tij, i cili foli për mediat italiane, Hekurani nuk ishte kurrë njeri problematik:
“Ishte një djalë me zemër të artë, i qetë, që nuk kërkonte telashe. Asnjëherë s’kishte probleme me askënd. Merrej me punët e veta dhe ishte shumë i respektueshëm.”
Të afërmit tregojnë se ai ishte i apasionuar pas palestrës dhe tatuazheve, ndërsa netët e fundjavës i kalonte shpesh në Peruxhia, me miqtë e tij të afërt.
“Shkonte atje vetëm për t’u argëtuar. Nuk ishte nga ata që kërkonin sherr,” – tregon kushëriri i tij.
Dyshohet se mbrëmjen e ngjarjes, ai kishte marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga klubi 100Dieci, në Via Alessandro Pascoli, vetëm pak metra larg vendit ku u gjet trupi i pajetë.
Vdekja e tij ka lënë pas një boshllëk të madh. Miqtë e kanë kujtuar në rrjete sociale me dhjetëra mesazhe prekëse, duke e quajtur “një djalë të artë që nuk meritonte një fund të tillë”.
🕯️ “Ishte gjithmonë buzëqeshur, nuk donte telashe… Zoti të mëshiroftë, Hekuran,” – shkruajnë ata.


