Divorci i Bes Kallakut dhe Xhensila Myrtezajt ka qenë pa dyshim një ndër ndarjet më të bujshme dhe më të komentuara të showbiz-it shqiptar. Një çift që për vite me radhë u konsiderua si simbol i dashurisë, stabilitetit dhe familjes së lumtur, i dha fund martesës pas një krize që, sipas vetë palëve, kishte kohë që kishte nisur.
Pas një lidhje disavjeçare, Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë në vitin 2017. Nga kjo marrëdhënie erdhën në jetë dy fëmijë, Ajka dhe Amen, të cilët sot mbeten pika më e fortë e lidhjes mes dy artistëve, pavarësisht ndarjes që u zyrtarizua nga gjykata e Tiranës më 23 Dhjetor 2024.
Megjithatë, arsyet reale që çuan drejt ndarjes mbetën për një kohë të gjatë një mister. Xhensila, në një intervistë të dhënë në muajin dhjetor, theu heshtjen për herë të parë duke treguar se kriza kishte nisur prej vitesh dhe se mungesa e komunikimit kishte qenë shkaku kryesor. Ajo theksoi se vendimin për divorcin e kishte marrë vetë, duke e konsideruar atë zgjedhjen më të mirë për veten, për Besin dhe mbi të gjitha për fëmijët.
Së fundmi, pas më shumë se një viti heshtje, Bes Kallaku ka zgjedhur të flasë hapur. I ftuar në një podcast, aktori i njohur i humorit bëri deklarata të forta, personale dhe mjaft emocionale, duke hedhur dritë mbi plagët e brendshme që, sipas tij, nuk lidhen vetëm me divorcin.
“E shkuara ime është e vdekur. Unë po jetoj të sotmen”, u shpreh Kallaku, duke lënë të kuptohet se kapitulli me Xhensilën është mbyllur përfundimisht.
Po ashtu, ai foli edhe për zhgënjimet që ka përjetuar nga njerëz që dikur i kishte pranë. Ai thekson se forca dhe pasuria e tij më e madhe janë dy fëmijët dhe prindërit.
‘Zoti është me mua, kush mund të jetë kundër meje?! Përveçse ju kam dhënë dorën, ju kam dhënë edhe bukën. Sado të zgjasë nata, do lindë dielli, do të vijë dita. Sa armiq që kemi, dhe sa “miq” armiq që kemi përreth. Pasuria ime më e madhe janë dy fëmijët e mi, nëna dhe babai im. E marrim jetën për të mirëqenë. Sikur s’do na ndodhë kurrë e keqja. Ndërroi jetë edhe Shpati i shkretë. A kishte plane për sot?’, tha ai.
Intervista e tij ka ngjallur reagime të shumta në publik dhe rrjete sociale, pasi për herë të parë Bes Kallaku foli pa filtra për dhimbjen, zhgënjimet dhe procesin e rindërtimit personal pas një prej kapitujve më të vështirë të jetës së tij.
Divorci i tij me Xhensila Myrtezajn mbetet ende një temë e nxehtë diskutimi, por duket se për Besin, e shkuara tashmë është mbyllur./ Kryefjala.com