Pas më shumë se 24 orësh në arrati, gjendet i gjallë dhe rëndë i plagosur shqiptari që rrahu për vdekje dje gruan në Ankona.
Autoritetet italiane kanë zbuluar vendndodhjen e Nazif Muslijës, 50 vjeç, shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i dyshuar për vrasjen brutale të bashkëshortes së tij, Sadjide Muslija, 49 vjeçe, krim që ndodhi një ditë më parë në qytetin Pianello Vallesina, komuna Monte Roberto (Ankona). Pas një kërkimi intensiv të shtrirë në të gjithë rajonin, ai u gjet në një zonë të thepisur pranë Matelica (provinca Macerata), i shtrirë në tokë dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, por i gjallë.
Ekipet e emergjencës mjekësore janë duke punuar për ta stabilizuar, ndërsa është ende e paqartë natyra e plagëve të tij, nëse janë vetëshkaktuara apo të ndodhura gjatë arratisë. Pranë zonës ku u gjet ai, u identifikua edhe automjeti i tij, një Smart i bardhë, e cila ishte braktisur.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen e rëndë kanë avancuar. Në banesën ku ndodhi krimi, karabinierët kanë sekuestruar një tub metalik, që dyshohet se mund të jetë përdorur si armë në vrasje. Ky objekt do t’i nënshtrohet analizave të mëtejshme kriminalistike në ditët në vijim për të verifikuar nëse është mjeti që ka shkaktuar plagët fatale. Trupi i viktimës, e cila u gjet e pajetë në dhomën e gjumit me fytyrë të masakruar nga goditjet, është dërguar për autopsi, por data e saj ende nuk është përcaktuar.
Prokuroria e Ankonës ka urdhëruar ndalimin zyrtar të Nazif Muslija, si i dyshuar për vrasje me dashje, ndërkohë që ishte lëshuar dhe një urdhër kërkimi ndërkombëtar, pasi ekzistonte frika se ai mund të kishte kaluar kufirin.
Dëshmitarë okularë e kishin parë të largohej me nxitim nga vendngjarja me automjetin e tij, menjëherë pas zbulimit të trupit të Sadjide Muslijas. Gjatë gjithë mëngjesit, specialistët e kriminalistikës kanë vazhduar ekzaminimet në shtëpi, në përpjekje për të rindërtuar me saktësi dinamiken e ngjarjes dhe për të mbledhur gjurmë të tjera biologjike apo materiale që mund të ndihmojnë në hetim.