Një aksident i rëndë në vendin e punës i ka marrë jetën 36-vjeçarit shqiptar Artur Deliu në Pozallo të Italisë. Ngjarja ka ndodhur të hënën, teksa ai ishte duke punuar në çatinë e një objekti ndërtimi. Sipas mediave italiane, Deliu u godit fatalisht nga krahu mekanik i hekurit të betonierës, duke pësuar dëmtime të rënda që i morën jetën në vendngjarje.
Nga aksidenti ka mbetur i plagosur rëndë edhe një punëtor tjetër, i cili po trajtohet në spital.
Vdekja e papritur e 36-vjeçarit ka sjellë dhimbje të jashtëzakonshme në familjen e tij. Mes lotësh, halla e tij ka shpërthyer në një reagim prekës në rrjetet sociale, duke shkruar:
“Engjëlli i hallës… 💔😭
Dhimbje e madhe në lule të rinisë…
Si na le kaq shpejt, Artur… na theve zemrën, na këpute shpirtin.
Zemra e hallës të deshi shumë… Zoti të deshi më shumë dhe të mori pranë vetes.
Engjëlli i hallës, qofsh në xhenet.
Zoti na dhëntë forcë për këtë dhimbje të madhe.😭”

Artur Deliu ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Ai kishte vite që jetonte dhe punonte në Itali, fillimisht në Brescia dhe më pas në Siçili, ku ishte zhvendosur së fundmi. Trupi i tij pritet të rikthehet në Shqipëri dhe të varroset në Tiranë, në vendlindjen e tij.
Lexo edhe:
Ndërkohë, autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar kushtet e sigurisë në punë. Po verifikohet gjithashtu nëse betoniera kishte kryer kontrollet dhe mirëmbajtjet periodike të detyrueshme.