
Poligoni “Action Target”
Bledi Hasani, 35 vjeç, humbi jetën gjatë një seance qitjeje, ndërsa policia po heton rrethanat e ngjarjes.
Një ngjarje e rëndë tronditi sot Tiranën, pasi një person humbi jetën duke vrarë veten brenda poligonit të qitjes “Action Target”, të cilin e menaxhon biznesmeni Emiljano Dusha pranë stadiumit “Air Albania”.
Identiteti i viktimës është zbuluar si Bledi Hasani, 35 vjeç, i cili rezulton të ketë qenë klient i poligonit dhe kishte vizituar vendin edhe më parë për qitje.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në rrugën “Dervish Hima”. Viktima dyshohet se ka përdorur armën e zjarrit gjatë seancës së qitjes për të kryer vetëvrasjen.
Në vendngjarje janë angazhuar shërbimet e Policisë, të cilat, në bashkëpunim me grupin hetimor, po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave që çuan në këtë tragjedi.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:30, brenda një poligoni në rrugën “Dervish Hima”, dyshohet se është vetëvrarë me armën e zjarrit me të cilën po kryente qitje, shtetasi B. H., 35 vjeç.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilat, në bashkëpunim me grupin hetimor, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit.


