Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që tronditi mesditën e kësaj të marte qytetin e Durrësit.
25-vjeçari Marjan Kodheli ka vrarë me thikë të atin, Pjetër Kodheli, 69 vjeç, në banesën e tyre në fshatin Shkallnur. Viktima ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital, si pasojë e plagëve të marra.
Burime për mediat bëjnë me dije se autori vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe më parë kishte shfaqur sjellje agresive ndaj familjarëve. Pas krimit, ai është arrestuar nga policia në një lokal në zonën e Shkëmbit të Kavajës, biznes në pronësi të motrës së tij.
Në momentin e ngjarjes, në banesë ka qenë edhe nëna e autorit, e cila ka tentuar ta ndalojë djalin dhe më pas ka lajmëruar policinë për tragjedinë që ndodhi para syve të saj.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë:
“Rreth orës 13:00, shtetasi M. K., 25 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka vrarë me mjet prerës (thikë), babanë e tij, shtetasin P. K., 69 vjeç, në banesën e tyre në fshatin Shkallnur. Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.”
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin e zonës, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar motivet që çuan në këtë akt të rëndë familjar.