
Janë zbardhur detaje të reja lidhur me ngjarjen e ndodhur këtë të martë në Tiranë, ku një 16-vjeçare plagosi veten me xham dhe goditi një efektive policie. Sipas burimeve hetimore, vajza ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike pasi po përndiqej nga një person që vepronte me urdhër të ish-të dashurit të saj, 46-vjeçarit Jetmir Llanaj.
Llanaj, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe për mediat, kishte pasur më herët një lidhje me të miturën. Pas arrestimit të tij në mars të këtij viti, vajza kishte nisur një histori të re dashurie, gjë që nuk ishte pranuar nga Llanaj. Ai, ndonëse ndodhej në burg, kishte vendosur persona për ta ndjekur dhe survejuar të renë.
E lodhur dhe nën presion të vazhdueshëm, 16-vjeçarja ka tentuar të vetëdëmtohet me një copë xhami, por fatmirësisht pa pasoja serioze për jetën. Gjatë momentit të ndërhyrjes nga autoritetet, ajo ka reaguar në mënyrë të dhunshme, duke kafshuar një punonjëse të Policisë.
Materialet e ngjarjes janë referuar në Prokurori, ndërsa policia po punon për të identifikuar personin që kishte marrë urdhër për ta përndjekur vajzën.
Jetmir Llanaj, i njohur si “i forti i Lezhës”, u arrestua në mars të këtij viti për pjesëmarrje në një grup kriminal që vendoste gjoba ndaj bizneseve në zonën e Kurbinit. Hetimet kanë zbuluar se ai, bashkë me katër persona të tjerë, kërcënonin dhe ushtronin presion ndaj biznesmenëve për përfitime të paligjshme.
46-vjeçari kishte qenë më herët në burg për vrasje, pasi mori hak për vrasjen e djalit të tij 9-vjeçar, Indrit Llanaj. Ai ishte dënuar fillimisht me 25 vite burgim, por dënimi iu ul nga Apeli. Llanaj kreu dënimin dhe doli nga qelia në janar të këtij viti, për t’u rikthyer sërish në pranga vetëm pak muaj më vonë.


