Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja në Bruksel, mesazhi që u mbërriti në telefon familjarëve të 29-vjeçarit para se të gjendej i varur
Një ngjarje e rëndë tronditi lagjen Anderlecht në Bruksel, ku trupi i një shtetasi shqiptar, 29 vjeç, u gjet i varur me një kabllo elektrike pranë një qendre tregtare, në një zonë me bimësi larg vendbanimit të tij.
Sipas gazetarit Fatos Mahmutaj, autoritetet belge po hetojnë mbi tre pista kryesore: përfshirja në konflikte me persona nga bota e krimit, lidhja me trafik droge, si dhe vetëvrasja. Viktima nuk kishte precedentë penalë, çka e bën të dyshueshme pistën e parë.
Hetuesit po marrin seriozisht pistën e vetëvrasjes, pasi disa familjarë kanë marrë një mesazh nga telefoni i tij pak para ngjarjes, ku shkruhej: “Unë po iki në botën tjetër.”
Megjithatë, mënyra e pazakontë e gjetjes së trupit – i varur në një zonë publike me kabllo elektrike – ka ngritur dyshime për një skenar të mundshëm vrasjeje ose ekzekutimi. Disa media belge spekuluan mbi një ekzekutim të ngjashëm me rastet e karteleve meksikane, por gazetari Mahmutaj e ka quajtur këtë krahasim të nxituar dhe të padrejtë ndaj komunitetit shqiptar në Belgjikë.
“Mesazhi i marrë nga të njohurit e viktimës mbështet pistën e vetëvrasjes. Vendndodhja ku u gjet trupi ishte në një zonë me bimësi dhe ai nuk kishte lidhje me krimin. Krahasimet me kartelet nuk sjellin asgjë, përveç se rëndojnë imazhin e komunitetit. Shumë shpejt do të kemi konkluzionet zyrtare. Drejtësia belge funksionon efikase, ndaj duhet të presim hetimet për të mësuar të vërtetën. Trupi është marrë nga mjekësia ligjore, ndërsa për momentin nuk ka deklarata zyrtare,” tha gazetari Mahmutaj.
Ekspertët e mjekësisë ligjore dhe prokurorët kanë qenë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë. Autoritetet belge pritet të publikojnë së shpejti një përfundim zyrtar mbi shkakun e vdekjes.