
Në foton e siguruar nga mediat shihet Flori Paluçi, 33-vjeçari që humbi jetën në ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Manëz të Durrësit. Ai dyshohet se ka qëlluar i pari ndaj Aranit Kurtit, duke e lënë të vdekur, ndërsa pak çaste më vonë u ekzekutua nga 21-vjeçari Daniel Pepa.
Sipas burimeve të policisë, Paluçi kishte një të kaluar kriminale jashtë vendit. Në vitin 2015, ai ishte arrestuar në Itali si pjesë e një bande të strukturuar grabitësish që vepronin në disa qytete italiane. Grupi, ku ai ishte i vetmi shqiptar, njihej për metodën e pazakontë të grabitjeve — hapjen e vrimave në muret e bizneseve për të hyrë brenda.
Hetimet ndaj tyre kishin nisur pas grabitjeve të dy argjendarive në Ravenna dhe Alfonsine, ku u vodhën sende me vlerë rreth 200 mijë euro. Në njërën prej grabitjeve, autorët kishin kërcënuar pronarin me një armë lodër për ta neutralizuar.
Ngjarja e sotme në Manëz nisi pas një konflikti për një kafe në një lokal të zonës. Aranit Kurti ishte ulur me Daniel Pepën, ndërsa Paluçi ndërhyri në debat dhe mori armën duke qëlluar. Pas vrasjes së Kurtit, Pepa reagoi menjëherë dhe vrau Paluçin me armë zjarri.
Policia po vijon kërkimet për 21-vjeçarin, i cili ndodhet ende në arrati, ndërsa hetimet pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e krimit.


