Këngëtarja e njohur Elhaida Dani ka folur më në fund për historinë e shumëpërfolur të dashurisë me balerinin Ledjan Agalliaj, lidhje që nisi gjatë spektaklit “Dancing With The Stars” dhe që bëri bujë në gjithë rrjetet sociale për shkak të rrethanave në të cilat u krijua.
Në atë kohë, Ledjani ishte në një lidhje 7-vjeçare me balerinën Ditjona Borën, një nga figurat e njohura të trupës së baletit.
Madje, ish-e fejuara e Ledjanit shpesh komentonte pozitivisht në rrjetet sociale.
Në njërën prej fotove që Elhaida publikonte nga prova me balerinin, Ditjona kishte komentuar “Artista”, duke vlerësuar performancat e tyre në skenë, pa e ditur se pas asaj kimie artistike po lindte një histori dashurie që do të shkatërronte lidhjen e saj shumëvjeçare.

Të dy ishin një çift i konsoliduar, që shfaqeshin shpesh bashkë në skenë dhe në evente, ndaj ndarja e tyre erdhi si një tronditje për publikun, veçanërisht kur pak javë më vonë, ai u pa pranë Elhaidës.
Në intervistën e fundit për “The Dalina Show”, Elhaida zbuloi se historia e tyre nisi “pa plan” dhe “në momentin më të papritur”.
“Në fillim, marrëdhënia jonë ishte vetëm profesionale. Ai ishte shumë serioz, pothuajse nuk më fliste fare. Por një ditë më ftoi për kafe dhe më tha: ‘Nuk jam më në një lidhje. Kam ndjenja për ty sa s’më kërcehet, s’më hahet e as s’më pihet.’ Ajo ishte dita kur gjithçka ndryshoi,” – tregoi Elhaida.
Këngëtarja shtoi se Ledjani i kishte treguar vetë se kishte vendosur të mbyllte marrëdhënien e gjatë me Ditjonën, pasi kishte kuptuar që ndjenjat për të ishin të sinqerta dhe të papërmbajtshme.
“Nuk ishte e lehtë për të. E njihja dhimbjen që kishte, sepse ishte një lidhje e gjatë dhe me shumë kujtime. Por ndjenjat që ndjeu për mua ishin të forta dhe të pastra. S’mund të luftosh me diçka të tillë.”
Komentet negative për lidhjen e tyre
Për javë të tëra pas finales së “Dancing With The Stars”, rrjetet shpërthyen me akuza, paragjykime dhe komente për lidhjen e tyre.
Shumë e akuzuan Elhaidën se “ishte arsyeja e ndarjes” mes Ledjanit dhe Ditjonës, ndërsa të tjerë e mbështetën duke thënë se “dashuria s’pyet për rrethana”.


Në intervistë, Elhaida u shpreh se u gjykua padrejtësisht për diçka që ndodhi jashtë kontrollit të saj.
“Unë s’kam shkatërruar asnjë lidhje. Ai kishte mbyllur kapitullin e vet. Thjesht, pas shumë kohësh, dy njerëz u ndjenë njësoj. Unë nuk kisha pse ta mohoja atë që ndjeja.”
Ajo shtoi se në momentin kur u përball me reagimet e publikut, vendosi të mos shpjegohej më, por të dëshmonte me veprimet e saj.
“Sot kanë kaluar tre vite dhe ai s’më lë të harroj pse e nisa këtë histori. Sa herë futet në dhomë, i ndrijnë sytë njësoj si ditën e parë. Kjo është përgjigjja ime për çdo gjykim.”
Nga skena në dashuri të vërtetë
Gjatë spektaklit, publiku e kuptoi që mes tyre kishte një kimi të fortë, edhe pse ata përpiqeshin ta fshihnin.
Në prova, në kërcime dhe në backstage, shikimet dhe afrimiteti i tyre u vunë re që herët, por vetëm pas mbylljes së “Dancing”-ut, ata pranuan publikisht lidhjen.
Më vonë, Ledjani pranoi se kishte marrë një vendim të vështirë, por të drejtë.
“Ishte e pamundur të vazhdoja një histori ku nuk ndjeja më të njëjtën gjë. Me Elhaidën gjithçka ndodhi natyrshëm, pa kalkulim. Ishte e sinqertë dhe reale.”

Sot, pas tre vitesh bashkë, çifti vazhdon të jetë më i fortë se kurrë. Ata jetojnë mes Tiranës dhe Italisë, dhe shpesh ndajnë momente të ëmbla që tregojnë se dashuria e tyre ka mbijetuar ndaj çdo paragjykimi.