Një atentat që i ka shkaktuar vdekjen tre personave dhe ka lënë të plagosur rëndë një tjetër është shënuar mbrëmjen e djeshme ne Memaliaj.
Atentati kishte për shënjestër anëtarët e familjes Kalemi, por breshëri e plumbave i mori jetën dhe dy personave të pafajshëm. Njëri ishte duke bërë punën si kamerier, ndërsa tjetri po shijonte një pije në këto net te nxehta vere.
Marsel Çela 47 vjeç, klient në lokalin ku ndodhi atentati dhe Gledian Muka 36 vjeç, janë dy viktimat e pafajshme të kësaj masakre në Memaliaj.

Autorët me një makinë të zezë kanë shkuar jashtë lokalit ku qëndronte babai i Andea Kalemit, Shyqyri Kalemi dhe xhaxhai, Artur Kalemi dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash.
Plumbat kanë lënë të vdekur babain e Andrea Kalemit, i njohur dhe si Adriatik, ndërsa i plagosur rëndë ka ngelur xhaxhai.
Andrea Kalemi dhe vëllai i tij, Arturi ishin në një tavolinë jashtë lokalit, kur plumbat e kallashnikovit u “derdhën” mbi ta. Fatin e zi e kishte kamerieri dhe klienti, të cilët humbën jetën tragjikisht nga kjo ngjarje.
Një nga pistat që po hetohet është hakmarrja mes familjes Kalemi dhe Papa. Përplasja e cila ka nisur që në vitin 2022 pas vrasjes së Aleksanër Sadikaj.
Dyshohet se autorët e kësaj vrasje kanë qenë tre, të dyshuar si vrasës me pagesë. Më herët gazetari Igli Çelmeta tha se ka dyshime se porosia për këtë atentat mund të ketë ardhur nga Dubai.
Policia ka mbledhur pamjet nga kamerat e sigurisë, ndërsa në të shfaqet automjeti tip BMW me ngjyrë të zezë, që u gjet disa orë më pas duke u djegur në zonën e Mallakastrës.
Kush është Andrea Kalemi dhe saga e vrasjeve në dy vite
52-vjeçari Andrea Kalemi i njohur si Adriatik Kalemi, është një emër shumë i njohur jo vetëm për policinë shqiptare, por edhe ato të huajave. Vetëm një vit më parë Andrea Kalemit ju bë atentat në ishullin Paxos, Greqi.
Në vitin 2001 ai rezulton se është arrestuar nga forcat speciale RENEA. Gjithashtu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 persona të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.
Mirëpo në vitin 2022 do të vritej Aleksanër Sadikaj, kushëriri i Andrea Kalemit. Aleksandër Sadikaj humbi jetën pas një atentati mafioz me tritol që iu bë në makinën e tij, teksa ai po udhëtonte në Tiranë.