Një shëtitje e zakonshme në “Sheshin Skënderbej” mes dritave festive dhe aromës së gështenjave, është kthyer për shumë qytetarë në një eksperiencë luksi të papritur.
Jo për shkak të ndonjë shërbimi “all inclusive”, por për shkak të çmimeve të kripura të kioskat që të bëjnë të mendosh dy herë para se të nxjerrësh portofolin.
Një porosi fare modeste, 3 salçiçe, 3 panine, 2 gota verë të nxehtë, një “rose”, një “patate vieneze” nga bujku i keqtrajtuar shqiptar, një shishe ujë dhe një gotë gështenja mjafton që fatura të arrijë plot 51 mijë lekë.
Një shumë që, sipas disa qytetarëve, të jep ndjesinë sikur ke ngrënë darkë në një restorant buzë Senës dhe jo në qendër të Tiranës.

Ironia është se, ndërsa vera e nxehtë supozohet të të ngrohë, çmimi i saj të ngrin. Gështenjat, dikur simbol i dimrit popullor, tani duken se janë promovuar në kategori delikatesash elitare.
Edhe uji, një nevojë bazë, duket se ka marrë statusin e pijeve premium. Po buka? 3 panine normale, që maksimalisht blihen 15 lekë copa shiten sa “qimet e kokës”.

Qytetarët shprehen me humor të hidhur se në Sheshin Skënderbej nuk po paguan vetëm ushqimin, por edhe “pamja” e betonit dhe ndoshta ajrin që thith.
Kioskat vazhdojnë të shërbejnë me ritme të shpejta, ndërsa portofolat zbrazën po aq shpejt.
Në fund, mbetet pyetja: A po shijojmë një shëtitje festive në shesh, apo po marrim pjesë në një provë force mes qytetarit dhe çmimeve që nuk njohin kufij? Një gjë është e sigurt: Në “Sheshin Skënderbej”, oreksi vjen duke u rritur, por llogaria vjen edhe më e madhe.
