Pas ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit, është hapur një faqe GoFundMe për mbledhjen e fondeve në ndihmë të autorit dhe familjarëve.
Vrasja tronditëse e gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë ka ndezur një valë reagimesh të ashpra në rrjetet sociale. Ngjarja, e cila ndodhi më 6 tetor gjatë një seance gjyqësore, ka sjellë një ndarje të fortë opinionësh në publik, me shumë qytetarë që kanë shprehur hapur mbështetjen e tyre për Elvis Shkambin, autorin e krimit.
Në postimet që qarkullojnë në Facebook e X (ish-Twitter), shumë komentues e cilësojnë Shkambin si “njeri që kërkoi drejtësi vetë”, ndërsa të tjerë e dënojnë ashpër aktin, duke e cilësuar si sulm të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë.
Ajo që ka habitur më shumë është hapja e një GoFundMe, e organizuar nga një familjar i autorit, Francesk Shkambi, me qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen ligjore të Elvis dhe Gjon Shkambit.
Në përshkrimin e faqes theksohet se nisma nuk synon të justifikojë aktin e dhunës, por të garantojë që të akuzuarit të kenë “përfaqësim të drejtë dhe proces të ndershëm gjyqësor”.
“Ky GoFundMe është krijuar me mirëbesim dhe për një kauzë të drejtë — jo për të mbrojtur një akt dhune, por për të mbrojtur të drejtën për mbrojtje ligjore profesionale,” – thuhet ndër të tjera në përshkrimin e faqes.
Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Elvis dhe Gjon Shkambin, ndërsa në pranga është lënë edhe roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit, Banush Koxhaj, i akuzuar për “shpërdorim detyre” pasi lejoi hyrjen e armatosur të autorit.
Ngjarja ndodhi gjatë shqyrtimit të një çështjeje pronësie në Shkodër, ku autori, sipas hetimeve, pretendonte se ishte palë e dëmtuar. Në momentin që gjyqtari Kalaja u ngrit për të dhënë vendimin, Shkambi nxori armën dhe e qëlloi me tre plumba në gjoks, duke e lënë të vdekur pak minuta më vonë.
Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, që ndodhen ende në spital nën kujdes mjekësor.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka hapur sërish debatin mbi sigurinë në gjykata dhe besimin e qytetarëve te drejtësia.