
Prej kohësh në arrati nga Shqipëria, Gjykata e Lartë Federale në Brazil ka lëshuar një urdhër-arrest ndaj shtetasit shqiptar Ervin Mata. Sipas mediave braziliane, urdhri është firmosur më 23 shtator 2025, pas kërkesës së qeverisë shqiptare për ekstradimin e tij. Mata akuzohet për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, ndërsa autoritetet braziliane janë vënë në kërkim të tij.
Sipas autoriteteve shqiptare, Mata dyshohet se është përgjegjës për tentativën për të transportuar 69 kilogramë kokainë nga São Paulo drejt Valencias, në Spanjë, përmes një ngarkese me lëng limoni në Portin e Santos. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se, në shtator të vitit 2020, ai ka qenë i përfshirë në një tjetër aktivitet kriminal në Kolumbi, ku dyshohet se ka organizuar transportin e 240 kilogramëve kokainë drejt Frankfurtit, në Gjermani. Pas këtij operacioni, ai u largua nga Evropa dhe u vendos në Brazil.
“Mata është i përfshirë edhe në financimin e disa vrasjeve, si dhe në skema të pastrimit të parave përmes kontratave hoteliere të lidhura me një spital publik në Tiranë, i regjistruar në emër të babait të tij. Edhe pse i arratisur, ai dyshohet se ka vijuar të përfitojë rreth 81 milionë lekë.”, shkruhet në artikullin e 180graus.com.
Ai do të esktadohet në Shqipëri! Ndërkohë është zbardhur dhe vendimi i gjykatës braziliane që do e gjeni më poshtë!
Vendimi i Gjykatës Federale në Brazil
Në vendimin e tij, ministri Alexandre de Moraes thekson se paraburgimi është i domosdoshëm për të garantuar realizimin e procedurës së ekstradimit:“Paraburgimi është një kusht për procesin e ekstradimit dhe ka për qëllim të sigurojë ekzekutimin e çdo urdhri ekstradimi,” shkruan ministri në vendimin e tij. Ekzekutimi i urdhrit të arrestit duhet t’i raportohet menjëherë Gjykatës së Lartë Federale, Ministrisë së Drejtësisë, Interpol-it, si dhe misionit diplomatik shqiptar në Brazil.