Familja Halilaj ka hapur dyert e mortit për djalin e tyre, Bekim Halilaj.
Pasditen e sotme, 29-vjeçarit iu dha lamtumira e fundit në vendlindje,në fshatin Bicaj të Kukësit.
Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra banorë të zonës dhe të afërm, të tronditur nga lajmi i rëndë që mbërriti nga Belgjika.
Bekim Halilaj u gjet i pajetë më 30 shtator në Bruksel, në rrethana ende të paqarta.
Ai u gjet i varur në një tabelë sinjalizimi rrugor, dhe autoritetet belge kanë nisur hetimet, duke shqyrtuar të gjitha pistat, përfshirë edhe mundësinë e përfshirjes së elementëve të krimit të organizuar.

Sipas burimeve hetimore, dyshohet se në ngjarje mund të jenë përfshirë deri në katër persona.
Emri i Halilajt ishte përmendur më herët në mediat britanike.
Në vitin 2017, ai ishte arrestuar në Angli, ku ndodhej në mënyrë të paligjshme, së bashku me tre shtetas të tjerë shqiptarë, si pjesë e një grupi të dyshuar për trafik kokaine.
Për këtë çështje, ai ishte dënuar me shtatë vite burgim.