Aurela Gaçe ka ndarë reflektime të sinqerta mbi rrugëtimin e saj artistik, duke u ndalur te spektakli që mbetet ende shumë i dashur për publikun dhe që, sipas saj, vazhdon të kërkohet edhe sot.
“Kam kërkuar, kam guxuar dhe do vazhdoj të guxoj. Ka pasur edhe këngë që i kam provuar dhe kam thënë: kjo nuk jam unë. Një këngë është si një veshje, duhet ta provosh. Publiku, në fund, gjithmonë e ndjen dhe e përthith atë që është e vërtetë”, shprehet këngëtarja.
Ajo foli edhe për mbështetjen që u ka dhënë artistëve të tjerë ndër vite, duke pranuar se jo gjithmonë ka marrë mirënjohjen e pritur. “Ndonjëherë mërzitem, sidomos kur janë të rinj dhe u duket gjithçka e lehtë. Por them se do ta kuptojnë më vonë, kur të përballen me veten. Nëse kam një çelës në këtë rrugëtim, ai është durimi. Energjinë e kam të lindur”.
Sipas Aurelës, spektakli i saj ishte një gërshetim i gjithë eksperiencës së ndërtuar ndër vite në skenë, me performanca live dhe një intuitë artistike të formuar nga puna e vazhdueshme. “Çdo gjë ishte live. U punua në mënyrë ekstreme nga i gjithë stafi. Ishin 12 shfaqje dhe publiku e përqafoi menjëherë këtë projekt”.
Këngëtarja thekson se për të muzika nuk është punë, por mënyrë jetese. “Unë nuk them kurrë ‘po shkoj në punë’. Nëse ma heq skenën, nuk kam më energji”.
Ajo ndau edhe një nga momentet më të dhimbshme të karrierës, kur për tre muaj iu desh të mos këndonte për shkak të dëmtimit të kordave zanore. “Mjeku më tha që nëse nuk ndaloja, nuk do të këndoja më. Ishte një periudhë shumë e rëndë, me ankth dhe pa gjumë. Sot jam më e kujdesshme dhe stërvitem çdo ditë, si një balerinë”, përfundoi Aurela Gaçe.