Këngëtarja e njohur shqiptare, e cila prej vitesh është tërhequr nga muzika, Zanfina Ismaili, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me rastin e reperit Gjesti, emri i vërtetë i të cilit është Besart Kelmendi.
Reagimi i saj vjen pas raportimeve se Gjesti dyshohet se ka shkuar i armatosur dhe ka kanosur stafin e kompanisë Onima, e cila menaxhon të drejtat e tij autoriale në disa platforma muzikore.
Ismaili, e cila në të kaluarën ka qenë e njohur për hitet si “Partizani i Vogël” dhe “As i fundit, as i pari”, ka bërë një reagim të ashpër përmes një InstaStory, duke theksuar se nga përvoja e saj personale ka pasur një eksperiencë shumë negative me pronarin e Onima.
Sipas saj, veprimi i nxituar i Gjestit mund të jetë rezultat i pakënaqësive të grumbulluara ndër vite.
“Këtë që e paska bërë Gjesti ndaj Onima, është veç një revoltë e njeriut që (jam e bindur) e kanë gënjyer gjatë dhe shumë. Frustrimi nuk vjen si rrufeja, jo! Ndërsa pronari i Onima ka qenë njeriu më jo profesional, më jo korrekt ndonjëherë. Po flas nga përvoja ime para shumë vitesh. S’paska ndryshuar aspak! Liri për Gjestin”, ka shkruar Zanfina në InstaStory.

Përmes një postimi në Instagram, edhe Xheneta ka kërkuar më shumë mirëkuptim nga publiku, duke theksuar se nuk po përpiqet të justifikojë asnjë sjellje të gabuar, por se presioni i gjatë dhe grumbullimi i padrejtësive mund të çojnë në reagime të papritura. Ajo shprehet se është e lehtë të flasësh nga jashtë, por shumë më e vështirë të kuptosh se çfarë e shtyn një person deri në atë pikë.
Duke përmbledhur thelbin e situatës, Xheneta shkruan: “Nuk po arsyetoj askënd, por një gjë është e qartë, që kur presioni rritet edhe kufizimet shtohen, situatat shpërthejnë.” Ngjarja ndodhi një ditë më parë pas një debati mes Gjestit dhe drejtuesve të kompanisë për çështje të kontratës, që eskaloi deri në dëmtimin e pajisjeve të zyrës.
Në pritje të daljes së reperit para gjykatës, Xheneta përfundon mesazhin e saj me një thirrje për qetësim: “Ndonjëherë zgjidhja më e mençur është të qetësosh situatën para se të bëhet më keq.”
