Janë publikuar pamjet nga grabitja e regjistruar mëngjesin e kësaj të enjte në zonën e 5 Maji në Tiranë, ku një pikë këmbimi valutor u grabit brenda qendrës tregtare Concord Center. Autori, ende i paidentifikuar, ka hyrë në ambientet e pikës së këmbimit dhe nën kërcënimin e armës ka marrë një shumë parash.
Nga pamjet e publikuara shihet se grabitësi kishte veshur një jelek të zi dhe një xhup blu me kapuç. Hajduti shihet që i ka drejtuar armën punonjëses, teksa pasi ka marrë paratë, ai është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u zhdukur me shpejtësi nga ambientet e qendrës tregtare.
Ende nuk dihet se si autori ka arritur të futet i armatosur brenda qendrës tregtare. Ndërkohë, policia ka ngritur pika kontrolli në disa zona të qytetit dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e tij. Dyshohet se shuma e marrë është rreth 1.2 milionë lekë të vjetra.