Më shumë se 50 fëmijë azilkërkues janë ende të zhdukur në Britani, pasi u zhdukën nga kujdesi i autoriteteve në Kent, sipas një raporti të publikuar nga The Guardian.
Të dhënat tregojnë se fëmijët shqiptarë përbëjnë grupin më të madh të të zhdukurve, me dhjetëra raste të dyshuara si viktima të rrjeteve të trafikimit.
Në total, 345 fëmijë janë raportuar të zhdukur nga qendrat dhe hotelet e administruara nga autoritetet britanike në vitet e fundit, ndërsa 56 prej tyre ende nuk janë gjetur.
Nga hotelet e Ministrisë së Brendshme (Home Office), gjysma e të zhdukurve ishin shqiptarë, ndërsa në qendrat e pritjes, shqiptarët përbëjnë mbi një të katërtën e totalit.
Sipas ekspertëve, shumë prej këtyre fëmijëve mbërrijnë në Britani me varka të vogla ose të fshehur në kamionë, dhe më pas bien në duart e trafikantëve.
“Pas çdo numri që shohim në këto statistika, fshihet një fëmijë i frikësuar që ka përjetuar abuzime të rënda. Këta fëmijë nuk zgjedhin të zhduken – ata rrëmbehen,” – tha Esme Madill nga “Migrant and Refugee Children’s Legal Unit”.
Në dhjetor 2023, Gjykata e Lartë britanike e shpalli të paligjshme strehimin e fëmijëve azilkërkues në hotele, duke urdhëruar që ata të vendosen në qendra të mbrojtura.
Megjithatë, që nga ajo kohë, 44 fëmijë të tjerë janë zhdukur, dhe 10 prej tyre mbeten ende pa gjurmë.
Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve i kanë bërë thirrje qeverisë britanike të forcojë masat kundër trafikimit dhe shfrytëzimit, duke e quajtur situatën “dështim të rëndë shtetëror për mbrojtjen e më të pambrojturve”.