Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës një qytet të vogël në Austri, pranë kufirit me Gjermaninë. Një nënë e re ka përplasur aksidentalisht vajzën e saj njëvjeçare, teksa po dilte me makinë mbrapsht nga garazhi i shtëpisë.
Sipas mediave vendase, ngjarja ka ndodhur në rrethin e Schärding, rreth 20 kilometra larg qytetit gjerman Passau. Familja ishte në oborrin e shtëpisë, ku prindërit po merreshin me ndërrimin e gomave të makinës. Pas përfundimit, nëna ka hipur në mjet dhe ka filluar të lëvizë prapa, pa e vënë re se e bija ndodhej pas makinës.
Në momentin që dëgjoi një zhurmë të çuditshme, ajo ndaloi menjëherë, por fatkeqësisht ishte tepër vonë. Vogëlushja ndodhej nën makinë. Babai dhe fqinjët u përpoqën me çdo mënyrë ta nxirrnin dhe t’i jepnin ndihmën e parë, ndërsa shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta ringjallur, vajza e vogël ndërroi jetë në vend. Policia austriake ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të tragjedisë, ndërsa ka konfirmuar se ngjarja po trajtohet si një aksident i pastër familjar.