
Aida Hoxha dhe Ervis Vata, mjekë gjinekologë të maternitetit “Koço Gliozheni”, do të përballen me drejtësinë, pasi Prokuroria e Tiranës i ka marrë të pandehur për “neglizhencë në trajtimin mjekësor”, pas humbjes tragjike të një foshnje në korrik 2021.
Personat në foto janë Aida Hoxha dhe Ervis Vata, mjekët gjinekologë të maternitetit “Koço Gliozheni”, të cilët pritet të dalin para gjykatës pasi Prokuroria e Tiranës i ka marrë të pandehur për veprën penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”.
Hetimet zbuluan se mosveprimi në kohë dhe vendimmarrja e gabuar gjatë lindjes sollën vdekjen e një foshnje të sapolindur në korrik të vitit 2021.
Sipas dosjes hetimore, mjekët vendosën të përdorin forceps gjatë një lindjeje që ishte planifikuar të kryhej me seksio cezarian (operacion), duke shkaktuar dëmtime të rënda në kokën e foshnjës. Ekspertiza mjekoligjore vërtetoi se shoku traumatik dhe hemorragjik që çoi në vdekjen e të porsalindurës nuk ishte pasojë e ndonjë komplikacioni të papritur, por rezultat i mungesës së ndërhyrjes në kohë nga mjekët përgjegjës.
Prokuroria thekson se nëse lindja do të ishte kryer me operacion, siç ishte planifikuar më herët, përdorimi i forcepsit do të ishte shmangur dhe pasoja fatale mund të ishte evituar.
Pas një hetimi që ka zgjatur më shumë se tre vjet dhe ka kaluar në disa duar të prokurorëve, çështja ka shkuar për gjykim, me dy mjekët në rolin e të pandehurve.
Nëna e foshnjës, Adelina Zeqiri, ka akuzuar publikisht stafin mjekësor për braktisje dhe mosreagim, ndërsa akti i autopsisë konfirmon se vdekja ka ardhur si pasojë e dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga përdorimi i gabuar i forcepsit gjatë lindjes.


