
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Perugias në Itali në orët e para të mëngjesit të së shtunës, më 18 tetor. Rreth orës 04:30, në parkimin pranë Departamentit të Matematikës dhe Informatikës të Universitetit të Perugias, u gjet i pajetë 23-vjeçari shqiptar Hekuran Cumani, banues në Fabriano.
Sipas mediave italiane, i riu humbi jetën pasi u godit me thikë midis qafës dhe gjoksit, pas një përleshjeje që nisi jashtë një lokali në zonën universitare. Grindja kishte nisur mes dy grupeve të të rinjve, për motive ende të paqarta, dhe u përshkallëzua në dhunë fizike.
Një nga pjesëmarrësit e konfliktit, i identifikuar si një i ri me ngjyrë të errët të lëkurës dhe flokë kaçurrela, dyshohet se ka qenë ai që e ka goditur fatalisht Cumanin me thikë. Gjatë përleshjes është plagosur lehtë edhe vëllai i viktimës, i cili u qëllua në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ekipet e ndihmës së shpejtë mbërritën menjëherë në vendngjarje, por pavarësisht përpjekjeve, nuk mundën ta shpëtonin të riun shqiptar. Sipas hetimeve të para, Hekurani është përpjekur të largohet pas plagosjes, por është rrëzuar disa metra më tej, ku edhe ka ndërruar jetë.
Prokuroria e Perugias ka hapur një hetim për “vrasje”, aktualisht ndaj personash të paidentifikuar. Policia shkencore ka izoluar zonën dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar me saktësi momentet e ngjarjes.
Familjarë dhe miq të Hekuranit e kanë përshkruar 23-vjeçarin si një djalë të qetë, të edukuar dhe të pasionuar pas palestrës. Ai punonte sezonalisht në sektorin e shërbimeve në zonën e Senigallias dhe nuk kishte asnjë precedent penal. “Ishte një djalë me zemër të madhe, nuk kërkonte kurrë telashe,” është shprehur një kushëri i tij.
Sipas burimeve hetimore, për momentin përjashtohet çdo lidhje me aktivitetet e paligjshme apo me mjedisin universitar. Pista më e fortë mbetet ajo e një sherri të rastësishëm, që ka përfunduar tragjikisht.
Ngjarja ka shkaktuar indinjatë si në Perugia, ashtu edhe në Fabriano, ku Hekurani jetonte me familjen. Banorët e zonës Porta Conca, ku ndodhi ngjarja, kanë denoncuar prej kohësh zhurmat dhe konfliktet e shpeshta që ndodhin gjatë fundjavave në lagjen studentore.
Ndërkohë, në orët në vijim pritet autopsia e trupit të 23-vjeçarit, që do të ndihmojë në përcaktimin e saktë të mënyrës së vrasjes dhe identifikimin e autorit. Hetimet po vijojnë intensivisht për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që i mori jetën të riut shqiptar.


